Meta ngre 14 pyetje për Lleshin, i kthen përgjigje edhe Rama

Është apo jo ushtarak aktiv Sandër Lleshi. Me këtë pikëpyetje nga mungesa e komunikimit qeveri – presidencë, Ilir Meta nuk është bindur të dekretojë emërimin e Kryeministrit Rama për ministër të Brendshëm.

Presidenca publikoi 14 pyetjet e dërguara te Ministria e Mbrojtjes, ndërsa ngre si shqetësim faktin se edhe në propozimin e Kryeministrit, Sandër Lleshit i drejtohet “gjeneral”. Ushtarakët aktivë nuk mund të zgjidhen ministra, ndaj Presidenti ka parashtruar pyetje të detajuara drejt Ministrisë së Mbrojtjes për të cilat ende nuk ka marrë përgjigje.

Gjithsesi kjo nuk e pengoi atë t’i bënte publike pyetjet, me qëllim informimin e opinionit publik. Ato kanë të bëjnë me aktivitetin e Lleshit gjatë kohës kur ai ishte zyrtar në Ministrisë e Mbrojtjes.

Përgjigjet Rama

Nuk ka vonuar shumë edhe përgjigja e Kryeministrit Edi Rama. Edhe ai e bëri publike atë që e quan letër drejtuar Presidentit, ku argumenton se ngërçi i krijuar ditët e fundit ka qenë i panevojshëm. Sipas Ramës nuk përbën problem nëse Lleshi është, apo jo, gjeneral aktiv, sepse Meta mund ta çdekretojë nga detyra e gjeneralit dhe ta dekretojë në atë të ministrit. Sipas Ramës, nëse 14 pyetjet e publikuara sot nga Presidenca do të ishin paraqitur më herët, krisja institucionale do të ishte shmangur.

Lleshi: Prej 5 vitesh nuk jam ushtarak

Rama publikoi edhe kërkesën që Sandër Lleshi i bën Ilir Metës, për dekretimin si ministër i Brendshëm. Lleshi i jep përgjigje pyetjes kryesore të Presidentit, duke thënë se në 5 vitet e fundit nuk ka bërë asnjë detyre ushtarake, për shkak të procesit gjyqësor ku ka qenë i përfshirë.

Ne letrën drejtuar Presidentit, Lleshi thotë se për shkak të rekursit që Ministri i Mbrojtjes i bëri në 2013-ën çështjes së tij gjyqësore, ai është angazhuar si këshilltar i Kryeministrit për çështjet e sigurisë.

Lleshi pohon gjithashtu se heq dorë nga të gjitha të drejtat që atij i burojnë si fitues i gjyqit ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Presidencës ndërsa thekson se nuk është ushtarak aktiv por i liruar nga shërbimi.

Çfarë ndodh tani?

Dy janë mundësitë e referimit në Gjykatën Kushtetuese: Së pari, vetë Kryeministri Rama mund t’i drejtohet Kushtetueses, ose me firmën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit.

Aktualisht kjo gjykatë është e paralizuar, por dosja pritet të arkivohet për t’u marrë në shqyrtim në pranverën e ardhshme. Kohë kur pritet të plotësohet vakanca me njerëzit e drejtësisë që kanë kaluar vetingun.

Shkarkoni aplikacionin e A2