Panucci i “shurdhër” ndaj kritikave: Kam ekip memec

Christian Panucci

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, nuk ka aspak dëshirë të qeshë kohët e fundit. Përfaqësimi kuqezi në Nation League deri më tani ka qenë një dështim pothuajse i plotë, me shqiptarët që janë praktikisht jashtë çdo mundësie kualifikimi për fazën finale, dhe me mundësi reale për të rënë në kategorinë D, atë më të ulët të futbollit evropian.

Megjithatë në konferencën për shtyp që trajneri italian zhvilloi për herë të parë me Erand Ibrahimin, menaxherin e ri të Kombëtares, Panucci tregohet optimist për ndeshjen e fundjavës ndaj Skocisë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Shqipërisë i duhet një fitore me 4 gola kundër Skocisë: mision gati i pamundur


“Është shumë e rëndësishme që të shënojmë gol, të vazhdojmë nivelin e lojës që bëmë me Izraelin, ku kemi luajtur më mirë sesa në fitoren ndaj Turqisë. Por duhet të jemi më të egër dhe oportunistë në fushë. Nuk duhet t’i shpërdorojmë rastet që na krijohen”, deklaroi italiani, i cili ama nuk mungoi të nënvizonte edhe një defekt që për të ka karakterizuar lojën e përfaqësueses që drejton.


“Këta lojtarë nuk dinë të komunikojnë me njëri-tjetrin, më duken si skuadër memece kur janë në ndeshje. Nuk mund të jem gjithmonë unë që t’iu them kujdes këtu e kujdes atje”, deklaroi Panucci, duke shtuar gati si një paralajmërim, “këtë javë të qeshin më pak e të flasin më shumë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2