13 milionë euro për të bërë pushime deri në qershor

Antonio Conte nuk ka ndërmend të marrë drejtimin e asnjë skuadre deri në qershor, pasi kështu mund të përfitojë dëmshpërblimin e majmë nga Chelsea që kap shifrën e 13 milionë eurove. Vendimi i tij ka befasuar jo pak në botën e futbollit, sidomos disa klube italiane të interesuar për të dhe Real Madrid, që ka vendosur të vazhdojë me Santiago Solarin të paktën deri në fund të sezonit.

Chelsea madje mund të paguajë edhe 10 milionë euro të tjera pasi trajneri italian ka ndërmend ta hedhë në gjyq klubin londinez për shkarkimin e padrejtë nga puna. Blutë nuk pranojnë t’i paguajnë rrogën pasi Conte nuk është paraqitur në dy takime, në përpjekje për të diskutuar mbi arritjen e një marrëveshjeje.

49-vjeçari duket se do të qëndrojë pushim deri në verë dhe nuk ka asnjë interes për të nisur një punë të re në mes të sezonit duke hequr kështu dorë nga pagesa tepër e majme. “Real Madrid? Mendoj që është më mirë të presim deri në fund të sezonit, nuk dua të nis punën tani”, tha Conte në një intervistë për Sky Sports. “Do të pres deri në qershor për të nisur një projekt të ri. Ndoshta pas tre muajsh ndryshoj mendje, por ky është vendimi im për momentin”.

Në të ardhmen e Contes mund të jetë edhe ish-klubi i tij, Juventus, ku ka fituar tre tituj kampion radhazi në vitet 2012-2014, edhe pse vetë ai pretendon se nuk i intereson më të kthehet atje. “Sigurishtqë jam italian dhe më pëlqen të jetoj në Itali… Juventusi vazhdon të rritet dhe ka bërë një punë të shkëlqyer deri tani, me blerje fantastike dhe me Allegrin trajner”.

Në Londër, Conte fitoi titullin kampion në vitin 2017 dhe Kupën e Anglisë një vit më pas. Por marrëdhënia e tij me klubin u prish për shkak të mënyrës se si trajtoi disa lojtarë, si Diego Costa, të cilit mendohet se i komunikoi përmes një mesazhi që nuk ishte më në planet etij.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN