Kushtet e BE-së për Shqipërinë në takimin e Brukselit, do raportohet mbi kapitullin 24

Do të zhvillohet të mërkurën në Bruksel mbledhja e radhës e Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri. Qeveria shqiptare do të përfaqësohet në takim nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ndërsa përballë pala evropiane përfaqësohet nga euro komisioneri Johannes Hahn dhe përfaqësuesja e lartë e BE, Federica Mogherini.

Ecuria e përmbushjes se 5 prioriteteve kryesore për Shqipërinë , veçanërisht reforma në drejtësi janë në krye të agjendës se diskutimit.

Tirana zyrtare do të japë llogari përballë përfaqësuesve më të lartë të BE, mbi ecurinë e deritanishme të Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në union: drejtësia, lufta ndaj krimit e korrupsionit, reforma në administratën publike dhe liria e shprehjes.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati do të raportojë veçanërisht mbi kapitullin 24 të negociatave, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Ministri Bushati pritet të informojë zyrtarët e BE, mbi zbatimin e reformës në drejtësi, sikurse edhe masat e ndërmarra në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Komiteti zhvillohen në kushtet kur opozita ka bojkotuar Kuvendin, andaj pritet me interes qëndrimi i BE-së mbi këtë bojkot.

Nga ana tjetër, në Tiranë, MPJ ka nisur punën për ngritjen e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së, duke ftuar subjektet e interesuara për të paraqitur komentet e tyre mbi këtë strukturë.

Shkarkoni aplikacionin e A2