Unaza, banorët protestojnë para Bashkisë, Veliaj: Është betejë civilizimi – A2

Unaza, banorët protestojnë para Bashkisë, Veliaj: Është betejë civilizimi

Erion Veliaj

Kryebashkiaku Veliaj e njoftoi konferencën për median menjëherë pas përpjekjes së banorëve për të hyrë në godinën e Bashkisë, ku po protestojnë prej dy ditësh. Ata janë në fakt në ditën e dhjetë të protestës, ku nuk kanë munguar momentet e tensionit.

Pas ndërhyrjes së policisë, banoret janë tërhequr por janë shprehur sërish të vendosur për të protestuar duke kërkuar dëmshpërblim me vlerën e tregut për banesat e tyre, të cilat do të prishen pasi preken nga plani për Unazën e Madhe.

Protestës së banorëve iu bashkuan sërish deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në Këshillin Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj ka thënë se bashkia e Tiranës nuk do të tërhiqet nga projekti për Unazën e Re, pavarësisht protestuesve, sepse kjo është dëshira e pjesës më të madhe të qytetarëve.

Banorët e zonës të Unazës në protestë

Ndërkohë Veliaj njoftoi që banorët e prekur nga shembjet dhe që kishin ndërtime ilegale do të marrin bonus qiraje për 3 vite.

“Shanset janë zero që kjo gjë të ndalet. Këtë betejë do ta fitojë civilizimi. Kemi ofruar si bashki e Tiranës 3 vite qira, për ata që s’kanë asnjë letër, që kanë zaptuar tokën e dikujt tjetër. Erdhën në Tiranë dhe zaptuan tokën e dikujt, në gjurmën e Unazës. Ka qenë 2 vite, ne do e bëjmë 3”- tha Veliaj.

Projekti i Unazës së Madhe

Sipas Kryetarit të Bashkisë së Tiranës qytetarët e kanë ditur që shtëpitë e tyre kalonin nga gjurma ku do kalonte Unaza e madhe, e projektuar që në kohën e komunizmit, kur kryeministër ishte Adil Çarçani dhe se ky është një projekt që do të lehtësojë trafikun në një nga segmentet më problematike të Tiranës.

“Kush do dëshmi mjafton të bëjë rrugën nga TEG te Fabrika e Miellit për 3 minuta. Pyesni njerëzit te Komuna e Parisit, pyesni njerëzit te Liqeni i Thatë, pyesni njerëzit në Farkë dhe në Lundër, pyesni njerëzit që shkojnë në të gjithë pjesën juglindore të Shqipërisë për të dalë në Elbasan”, tha Veliaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2