Arratisja e Gruevskit, arrestohen 2 ish bashkëpunëtorë të tij

Gruevski i ka kërkuar azil mikut Victor Orban

Arratisja e ish kryeministrit Maqedonas Nikolla Gruevski, për t’iu shmangur dënimit me 2 vite burg, ka shtyrë autoritetet të arrestojnë ish bashkëpunëtorët e tij, ministrin e transportit Mile Janakieski dhe ish-sekretarin e qeverisë Kiril Bozinovski.

Ata u arrestuan me kërkesë të prokurorisë speciale për të shmangur një largim të mundshëm të tyre dhe me vendim të Gjykatës Penale u dërguan në burgun e Shutkës.


Ish ministri i transportit Mile Janakieski

Mile Janakieski tha të martën se nuk e përkrah ikjen e Gruevskit. Gruevski u arratis në Budapest dhe në një postim në rrjetin social “Facebook” shkruante se ka kërkuar azil në Hungari. Ministria e Jashtme në Shkup thirri ambasadorin hungarez në Maqedoni, i cili po ashtu ka konfirmuar vendndodhjen e ish liderit në Hungari.

Media hungareze raportojnë se Gruevski kishte vizituar vilen e kryeministrit Victor Orban, mbështetës i ish kryeministrit dhe VMRO DPMNE-se. Megjithatë kjo mbetet e pa konfirmuar.

Nikolla Gruevski është dënuar me 2 vjet burg për blerjen e një automjeti të blinduar prej 600 mijë eurosh, me një tender të paligjshëm. Ndaj tij po zhvillohen edhe katër procese paralele gjyqësore nën akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion dhe vepra penale.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN