Historia e lashtë e hamburgerit modern

Kur thua hamburger, mendja të shkon te një shpikje kryekëput amerikane, ushqimi më i shpejtë mes ushqimeve të shpejta dhe një shpikje relativisht e re. Por ideja e bashkimit të një cope mishi mes dy bukëve është qindravjeçare.

Të parët që patën idenë e një gjëje të ngjashme ishin romakët e lashtë, të cilët e quajtën Isicia Omentata, një përzierje e mishit të derrit të grirë, verës, piperit dhe garumit – një lloj salce peshku që ishte tepër e përdorshme në kuzhinën e antikitetit. Përgatitja ishte aq e mirë sa që i mbijetoi shembjes së Perandorisë Romake.

“Proto-burgerët” ishin pjesë e rregullt e recetave të Mesjetës, edhe pse në vende të ndryshme morën emra të ndryshëm, duke qenë se në përbërje kishte mis, peshk, por edhe perime e ndonjëherë edhe fruta.

Variante të hamburgerit gjenden edhe në Lindjen e Mesme, siç mund të konsiderohen qebapët, të cilët u sollën në Europë nga udhëtarët.

Në vitet 1700, koncepti i mishit të grirë të mbledhur në formë qofteje – të sheshtë ose rrumbullake – ishte bërë pjesë tradicionale e kuzhinës së Perandorisë Britanike. Në këtë periudhë u formua edhe e ashtuquajtura “salsiçja e Hamburgut”, me mishin e grirë të lidhur në formë cilindrike. Gjithashtu ata patën edhe idenë gjeniale që të përdornin domatet për të “catsup, më vonë të quajtur “ketchup”, një tjetër element thelbësor i recetës moderne.

Në fund të shek. XIX të gjithë elementet ishin gati për t’u përdorur, por vetëm në SHBA ato arritën të bashkoheshin në një gjë të vetme. Në vitet 1870 restorantet amerikane shërbenin masivisht “biftekun e Hamburgut”, të quajtur kështu për shkak të portit të qytetit gjerman prej nga mishi më cilësor i viçit shpërndahej në të gjithë botën.

Ky version bëhej me copat më të mira të biftekut të cilat skuqeshin në formë qofteje të rrumbullakët ose të sheshtë. Në këtë periudhë ishte shpikur edhe makina grirëse, duke bërë kështu shumë më të lehtë shndërrimit e copave të mishit në një ushqim të lehtë për t’u përgatitur dhe aspak të kushtueshëm.

Në fund të viteve 1890, qoftet shërbeheshin të futura mes dy copa buke, kryesisht për punëtorët e uritur të fabrikave dhe minierave në të gjithë Amerikën, me opsionin për t’i shoqëruar me salcë domatesh ose kastravec turshi.

Bifteku i Hamburgut (Hamburger Steak) u shkurtua në thjesht hamburger dhe kështu lindi një ushqim tashmë i kthyer në klasik.

Ajo që e bëri këtë ushqim t’i mbijetojë kohës është fakti që gatuhej shumë lehtë dhe u bë mjaft popullor. Në vitin 1921, kompania White Castle hapi dyqanin e parë të hamburgerëve ku pretendohej se gjithçka ishte e kontrolluar, ndryshe nga produktet që shiteshin prej tregtarëve ambulantë.
Në vitet 1930 hamburgerët u bënë thjesht burger dhe White Castle nisi të ndjente konkurrencën e Wimpy, e më pas McDonalds.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN