“Nuk i meritoi 290 mijë paund në javë, por s’mund të bëj revolucion i vetëm”

Ai është vetëm 19 vjeç, por edhe pse në një moshë të tillë arriti të fitojë Kupën e Botës me Francën në Rusi, ndërsa me skuadrën e PSG fiton 290 mijë paund në javë pas transferimit nga Monaco.

Por ajo që e bën edhe më të madh, Kylian Mbappe, është fakti që ai është me “këmbë në tokë” dhe të ardhurat që fiton në një moshë të tillë nuk e kanë transformuar aspak, madje e kanë bërë të reflektojë edhe për situatën aktuale dhe shuma e mëdha që paguhen në ditët e sotme për ta ardhmen.

Referuar shifrave të çmendura dhe të pabalancuara që qarkullojnë sot në tregun sportiv, Mbappe mendon se në nivelet më të larta luhet me shifra të frikshme aq sa për shtresën e mesme të shoqërisë mund të quhen pa frikë të pahijshme.

“Vij nga një familje modeste dhe këto shifra që qarkullojnë sot në botën e futbollit do t’i quaja të pahijshme, por, në fund të fundit, ky është tregu, ky është një sistem i ndërtuar nga të tjerë, por që funksionon, ndaj unë nuk mund ta bëj revolucionin i vetëm. Bota e futbollit kështu funksionon, ndaj na mbetet ta pranojmë realitetin”, shprehet ai.

Më pas, Mbappe foli edhe për objektivat e tij, ku synimi parësor është të mbetet origjinal, duke mos u kthyer në kopjen e askujt.

“Qëllimi im është të ruaj gjithnjë vetëvlerësimin, të mbetem ky që jam dhe të mos kthehem në kopjen e askujt. Në fund të fundit, në jetën e përditshme të gjithë ne duhet të ruajmë modestinë, të jemi të përulur, pasi kjo është rekuizita më e mirë për të të sjellë madhështinë”, rrëfen Mbappe.

Fenomeni francez ka një mesazh edhe për brezin e ri, që i kërkon të mos ndalet kurrë edhe kur përballet me vështirësi.

“Mos reshtni kurrë së ëndërruari, mos u stepni nga ata që nuk besojnë tek ju, e rëndësishme është që të ruani besimin në vete, tek ëndrra juaj”, thotë ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2