“Shtëpia e Futbollit Shqiptar”, investim 8 milionë euro për selinë e FSHF

Presidenti Federatës së Futbollit Armand Duka vizitoi ambientet e reja në ndërtim të selisë së Federatës Shqiptare të Futbollit.

Një investim prej 8 milion euro , ku përfshihen edhe dy fusha me bar natyral dhe artificial, që do të përdoren nga të gjitha ekipet përfaqësuese të Shqipërisë.

Presidenti i FSHF u shfaq i kënaqur për ecurinë e punimeve, ndërsa nuk i kurseu edhe batutat, duke shigjetuar sulmet e herë pas hershme të politikës. “Kaq të bukura sa janë bërë këto, do të krijojnë një ligj dhe do na i marrin!”, u shpreh duke buzëqeshur Duka.

Duka gjatë inspektimit të punimeve

Selia e re e Federatës, e cila vazhdon ndërtimin paralelisht me stadiumin Arena Kombëtare, pritet të përfundojë në harkun e gjashtë muajve.

Duke folur për kompleksin, e quajtur nga ai “Shtëpia e Futbollit Shqiptar”, Duka nënvizoi se “ është shumë e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të ndjekim projektet e zhvillimit, patjetër edhe të futbollit të luajtur, por edhe të krijimit të infrastrukturës për të përgatitur një futboll sa më të mirë, sa më modern e sa më bashkëkohor”.

Presidenti dha edhe një mesazh mes rreshtave për trajnerin Christian Panucci, duke lënë të nënkuptohet se fitorja ndaj Skocisë është opsioni i vetëm.“Edhe pse për kreun e grupit gjithçka është bërë e vështirë, prapë është shumë e rëndësishme që të arrijmë një rezultat pozitiv, të fitojmë ndeshjen, dhe nëse do të jemi në fund me pikë të barabarta me kundërshtarët, atëherë nuk mund ta konsiderojmë një edicion të dështuar”, theksoi Duka, dhe ky tingëlloi si një paralajmërim për Panuccin.

Shqipëria do të luajë ndaj Skocisë më 17 nëntor në “Loro Boriçi”, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve.

Shkarkoni aplikacionin e A2