Ankth për Grezdën te Shqipëria, Panucci thërret talentin “finlandez”

Dëmtimet mbeten shqetësimi kryesor i Kombëtares, përpara ndeshjes me Skocinë. Në kampin kuqezi mbetet alarmante situata e Eros Grezdës. Sulmuesi i Rangers u paraqit në grumbullim i dëmtuar dhe vazhdon të mos stërvitet me grupin.

23-vjeçari mbetet nën vëzhgimin e stafit mjekësor, ku frika më e madhe është se mund të mos jetë gati për ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve. Gjendja e Grezdës do të vlerësohet në orët në vijim, ndërsa nuk përjashtohet që lojtari të mungojë edhe në miqësoren e 20 nëntorit ndaj Uellsit.

Pas problemeve me mungesat, përveç portierit Elhan Kastrati i cili zëvendësoi të dëmtuarin Alban Hoxha, trajneri Panuçi grumbulloi në ekip edhe një lojtar të ri. Bëhet fjalë për talentin 19-vjeçar, Albion Ademi. Sulmuesi i krahut, që vendosi të braktiste Finlandën për Shqipërinë, ishte grumbulluar në përfaqësuesen “Shpresa”. Por, emergjenca në Kombëtare bëri që ai të kalojë nën urdhrat e Panuçit, për të qenë gati për sfidën e 17 nëntorit me Skocinë në “Loro Boriçi”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN