Binden dhe në Angli, VAR në Premier League nga sezoni i ardhshëm

Teknologjia ndihmëse e arbitrimit, e njohur ndryshe si Video Assistant Referee (VAR) po fiton terren gjithnjë e më shumë në liga të ndryshme europiane dhe botërore.

Skuadrat e elitës në Angli votuan në favor të përdorimit të teknologjisë në Premier League, duke iu bashkuar revolucionit që preku edhe Spanjën, Italinë e Gjermaninë, si dhe u aplikua me sukses edhe në Botërorin e kësaj vere.

Kështu, arbitrat e Premier League do të ndihmohen nga pamjet vizive dhe asistenca jashtë fushës, pasi 20 skuadrat më të mira vendosën më në fund t’i dorëzohen presionit, duke lënë mënjanë mendimin e konservatorëve të futbollit në vendin ku u shpik ky sport.

Duke nisur nga sezoni 2019-2020, sistemi “VAR” do të jetë i pranishëm në çdo stadium në kampionatin më të fortë të planetit.

Ndërkohë, programi i testeve jo në mënyrë direkte që bëhet aktualisht në Premier League do të vazhdojë për pjesën e mbetur të sezonit. Fokus i veçantë do të jetë në ndeshjet e së shtunës, me protokollin e qartë për komunikimin e vendimeve të “VAR”-it ndaj tifozëve. Ndërkohë, UEFA do të fillojë testimin më datë 20, në miqësoren mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, për të “ndezur dritën e gjelbër” të aplikimit të VAR-it edhe në kompeticionet europiane.

Shkarkoni aplikacionin e A2