Ku ndryshojnë Tusha, Lleshaj dhe Demiraj?

Shah mat, autogol apo standard i dyfishte u interpretua lëvizja e presidentit për ti propozuar mazhorancës Vitore Tushën si kandidate për kryesimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ky hap u hodh sapo Ilir Meta kishte refuzuar emërimin e kryeministrit Rama për Sandër Lleshin si ministër i brendshëm.

Etiketimi si standard i dyfishtë erdhi nga mazhoranca sepse ndërkohë Vitore Tusha po ashtu mban një funksion tjetër. Ajo vijon të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese edhe pse në mbarim të mandatit. Sipas socialisteve përbën të njëjtin rast me Sandër Lleshajn si ushtarak.

Por a po e shkel Ilir Meta ligjin dhe kushtetutën, me Vitore Tushën?
Neni 103 i kushtetutës është i qartë kur ndalon kandidatin për ministër të mbajë një detyrë tjetër shtetërore. Por edhe më të qartë e bën situatën neni i Kushtetutës ku specifikohet në mënyrë taksative se deputeti dhe për rrjedhojë ministri nuk mund të kandidojë apo të zgjidhet nëse është ushtarak.

Neni 103 i Kushtetutës

Ndërsa neni 21 i ligjit për funksionimin e kontrollit të lartë të shtetit, nuk ndalon kandidatin për kryetar të ushtrojë detyrën e gjyqtarit.
Një tjetër analogji që i është bërë dekretit të Sandër Lleshit, është dhe ajo me Dritan Demirajn.

Të dy ushtarakë që fituan gjyqet ndaj ish ministrave që i kishin shkarkuar. Të dy të propozuar për ministra të Brendshëm. Dritan Demiraj u dekretua nga presidenti Nishani, ndërsa Ilir Meta refuzoi Lleshajn me argumentin se është ende ushtarak aktiv.

Por ka një diferencë mes të dy rasteve. Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se edhe pse fitoi gjyqin për tu rikthyer në detyrë, Demiraj, nuk u pagua deri në vitin 2018. Ndërsa Lleshaj, po.

E kontaktuar nga A2 CNN Ministria e Mbrojtjes thotë se detaje të këtyre pagesave i janë dhënë presidentit në një shkresë të ministres Xhaçka, por përmbajtja konsiderohet informacion i klasifikuar.

Por a quhet Sandër Lleshi ushtarak aktiv? Kërkesa drejtuar Ilir Metës për ti hequr këtë titull, është lexuar si një po. Ndërsa një interpretim final që rezervohen ta shohin të dy palët do të mund të vinte vetëm nga Gjykata Kushtetuese, pa afat jashtë funksionit, madje me një nga dy anëtarët e mbetur nga Vettingu, si kandidate për KLSH.

Shkarkoni aplikacionin e A2