Sërish tensione para Bashkisë, Balla – banorëve: Kërkojini llogari Bashës

Nga protesta e banorëve të “Astirit” para Bashkisë Tiranë

Është tensionuar situata sot përpara Bashkisë Tiranë, ku banorët e zonës së “Astirit” kanë protestuar për disa orë, duke i kërkuar Kryebashkiakut Erion Veliaj një përgjigje për fatin e banesave të tyre dhe mënyrën e dëmshpërblimit.

Një pjesë e banorëve janë përpjekur që të hyjnë me forcë brenda ambienteve të bashkisë, atje ku u mblodh edhe këshilli bashkiak.

Ndërkohë nga salla e Kuvendit, vijuan sulmet ndaj opozitës që po mbështet protestën e banorëve të Unazës së Re. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se banorët po kërkojnë mbështetje te Lulzim Basha, njeriu i cili miratoi gjurmën e kalimit të unazës.

Taulant Balla gjatë fjalës së tij në Parlament

“Lulzim Basha ka qenë pjesë e përcaktimit të gjurmës se ku kalon Unaza, me firmë e me vulë, qoftë si ministër i Transporteve deri në vitin 2007, por qoftë edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës deri në vitin 2015”, tha Balla në fjalën e tij në Parlament.

Balla konfirmoi se punimet nuk do të ndalen. “Gjurma se ku kalon unaza është miratuar nga bashkia që në vitin 2012. Pra banorët që sot ankohen te Lulzim Basha për këtë çështje duhet në radhë të parë të informohen nga vetë Lulzim Basha për gjurmën e përcaktuar. Unaza do të vijojë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN