

Në fillim të seancës së kësaj të enjteje, kryetari Gramoz Ruçi konfirmoi ardhjen e dekretit te Vitore Tushes, si kandidatura e përzgjedhur nga presidenti për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Sipas rregullores, duhet të jetë po Ruçi, që duhet të thërrasë konferencën e kryetarëve për të vendosur se kur do të hyjë në axhendën e Komisionit të Ekonomisë.
Por burime pranë këtij të fundit, thanë për “A2 News” se në javën e ardhshme, dekreti pritet të kalojë për shqyrtim.
Pikërisht ky afat, na risjell në vëmendje lojën e “shahut” Rama-Meta. Jemi më pak se 24 orë nga përfundimi i afatit ligjor, që kreu i shtetit Ilir Meta të japë vendimin e tij lidhur me dekretimin ose jo të Sandër Lleshit për postin e ministrit të Brendshëm. Ndaj numri një i shtetit shqiptar, me ose padëshirën e tij, do të duhet të bëjë i pari lëvizjen e radhës.
Cilido qoftë vendimi, ai mund të ndikojë direkt të qëndrimi që do të mbajë mazhoranca për të votuar me votat e saj, Vitore Tushen në krye të KLSH.
Këtë herë, mazhoranca ka avantazhin e kohës, por duhet parë të premten se si do të vijojë loja kryeministri-presidencë.