Shtetet me rrezikun më të lartë në botë

Libia, Afganistani dhe Somalia janë vendet më të rrezikshme në tokë, sipas të dhënave më të fundit të pasqyruara në një hartë për udhëtarët që i paralajmëron ata për rreziqet në shtete të ndryshme të botës.

Harta interkative është ndërtuar nga “Travel Risk Map” për vitin 2019, e cila tregon shtete ku udhëtarët kanë më shumë gjasa të kenë probleme me sigurinë, por edhe me çështjet mjekësore.

Vendet nordike: Finlanda, Norvegjia dhe Islanda janë në krye si shtete më të sigurta në botë. Shtet më të rrezikshme sa i përket sëmundjeve e probleme të tjera mjekësore, në këtë hartë renditet në krye Sudani i Jugut, Nigeria, Bregu i Fildishtë dhe Sierra Leone. Po ashtu, edhe Iraku, Libani, së bashku me Venezuelën dhe Korenë e Veriut vlerësohen si vende me rrezikshmëri të lartë sa i përket sëmundjeve.

Në të kundërt, vendet me rrezikun më të ulët nga sëmundjet janë pjesa dërrmuese e shteteve europiane, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Japonia.

Ndërsa shtete si Brazili, Kina dhe Rusia konsiderohen si vende me rrezikshmëri e cila mund të ndryshojë me shpejtësi kur bëhet fjalë për shëndetin.

Sa i përket sigurisë rrugore, shumica e shteteve në Afrikë janë në krye të listës, ndërsa më pas janë shtete si Brazili, Bolivia, Arabia Saudite, Irani dhe Kazakistani.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN