Bushati: PD të vijë në Kuvend. Pollo: Pas Vetting-ut në politikë

Ftesën e Brukselit për t’i dhënë fund bojkotit, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ia adresoi edhe në shqip opozitës nga foltorja e Kuvendit.

“Gjej rastin për t’i bërë edhe një herë tjetër thirrje opozitës parlamentare për të ushtruar përgjegjësitë e saj në këtë proces të rëndësishëm që nuk ka të bëjë me fatin e partive politike të cilat vijnë dhe ikin por që ka të bëjë me Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Bushati. “E kam fjalën kryesisht për kalendarin e përbashkët të miratimit dhe zbatimit të reformës zgjedhore, sikur edhe miratimin dhe zbatimin e elementëve që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi”.

Por Kryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo, thotë se kushtet që opozita të kthehet në Kuvend janë të qarta. “Ne jemi në një situatë të jashtëzakonshme për sa i përket lidhjeve midis qeverisë dhe krimit të organizuar”, tha Pollo në një prononcim për A2 News.

“Dhe për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, opozita ka prezantuar një paketë masash, gjithashtu të jashtëzakonshme që ka marrë emrin vetting-u për politikanët. Dhe në momentin që me seriozitet dhe shpresoj, me seriozitet, vetting-u për politikanët të shqyrtohet në kuvend, atëherë edhe vendi i opozitës është në kuvend për të kontribuar jo për veten e saj, por për Shqipërinë dhe normalizimin e Shqipërisë”.

Pollo akuzoi qeverinë se për të dytën herë radhazi nuk dërgoi ftesë në adresë të opozitës, duke thyer kështu traditën për përfaqësimin e pakicës në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit në Bruksel. “Qeveria prish një traditë pozitive që ka trashëguar nga qeveria e Partisë Demokratike, për të pasur në mbledhjen e këtij këshilli edhe qeverinë dhe opozitën”, shtoi deputeti demokrat.

“Ka ndodhur edhe më parë, nuk është e këndshme për çdo qeveri të kesh edhe opozitarin që bën një paraqitje alternative të realitetit dhe pikëpamjeve, por në fund të fundit për Shqipërinë është një aspekt pozitiv, sepse tregon një konsensus të gjerë politik”.

I pyetur disa here nga A2 News mbi këtë akuzë, krye diplomati Bushati shmangu komentet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN