Epidemi dëmtimesh tek Kombëtarja: “dorëzohet” edhe Ndoj, por Grezda përmirësohet

Stërvitje e Kombëtares në prag të ndeshjes me Skocinë

Një epidemi e vërtetë dëmtimesh ajo që po vuan Shqipëria. Në prag të ndeshjes me Skocinë, Kombëtarja ka humbur një tjetër lojtar. Sipas të gjitha gjasave, trajneri Panucci duhet të bëjë llogaritë pa mesfushorin Emanuele Ndoj.

Lojtari është stërvitur i diferencuar prej ditësh, por tashmë ka ardhur edhe verdikti i mjekëve: talenti i Breshias nuk ia del të jetë gati për ndeshjen e së shtunës në Loro Boriçi.

Ndoj bëhet futbollisti i katërt që mungon për shkak dëmtimi, pas Ylber Ramadanit, dhe dyshes Ermir Lenjani e Alban Hoxha, të cilët u larguan nga grumbullimi.

Mungesat e Kuqezive

Nga lista paraprake e Panuccit, në ekip nuk janë as Loret Sadiku, i cili e refuzoi ftesën, Ivan Balliu që u pengua nga klubi i Metz, ndërsa Fiorin Durmishaj nuk iu bashkua kuqezinjve, prej shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Greqi.

Ndoshta Panucci mendon të futet vetë në fushë kundër Skocisë?

Ndaj Skocisë, Shqipëria nuk do të ketë në dispozicion as dy titullarët, Elseid Hysaj dhe Migjen Basha, të cilët janë të pezulluar. Në total, mes dëmtimeve, pezullimeve dhe zgjedhjeve të stafit teknik, Kombëtares i mungojnë plot 17 lojtarë krahasuar me grumbullimet e mëparshme.

Eros Grezda duket lajmi i vetëm pozitiv për Panuccin

Situata është emergjentë, ndërsa i vetmi sinjal pozitiv vjen nga Eros Grezda. Pasi u stërvit gjatë gjithë javës i diferencuar, sulmuesi i Rejnxhërs duket në gjendje për të luajtur dhe për të dhënë kontributin për ekipin. Por mbetet për tu parë nëse në krizën e mungesave, vetëm rikthimi i yllit kuqezi do të mjaftojë për fitoren.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN