Tirana “pushtohet” nga skocezët, habiten nga birra e lirë, moti dhe mikpritja

Tifozët skocezë me kiltin dhe gajden karakteristike

Një fenomen i ri ka pushtuar rrugët e Tiranës, para ndeshjes Shqipëri-Skoci. Tifozët skocezë kanë tërhequr vëmendjen për shfaqjet e tyre në kryeqytet.

Thuaj se të gjithë me kiltët karakteristikë skocezë, duke dhuruar shfaqje muzikore me gajde dhe natyrisht me birrë në dorë. Show e festë, por edhe shumë fotografi me kalimtarët e rastit, që kërkonin të mbanin një kujtim nga këto orë jashtë të zakonshmes.

Kapelet e skocezëve me vendet e vizituara

“Erdhëm në Tiranë të enjten dhe do të qëndrojmë deri të hënën. Shpresojmë të fitojmë, edhe sepse po kalojmë një moment të mirë. Moti ka qenë i shkëlqyer, në hotel na thanë të veshim diçka më të trashë, por krahasuar me motin në Skoci, koha këtu është e shkëlqyer. Reagimet e njerëzve kur na shikojnë janë të mrekullueshme, njerëzit bëjnë shumë fotografi. Shqiptarët janë shumë miqësorë dhe mikpritës”, thotë një prej tyre.

Deri më tani, shumë pak nga tifozeritë që kanë vizituar Shqipërinë kanë tërhequr kaq shumë vëmendje. Nga divizat që mbajnë, është në fakt një prej tifo-grupeve më të veçantë që ka zbarkuar ndonjëherë në Shqipëri.

“Ka qenë një veshje e ushtrisë tonë dhe të gjithë në grupimin tonë të tifozëve e mbajmë, prandaj e quajmë veten “Ushtria Tartane”. Kemi gjithashtu kapelat karakteristike dhe logot e vendeve ku kemi shkuar. Kilti është mbajtur nga shumë skocezë dhe kjo tregon nga vijmë. Është i ngrohtë, është komod dhe është simboli ynë dallues”, shprehet një tjetër, duke shëtitur në rrugët e kryeqytetit.

Birra e lirë është për skocezët një nga surprizat më të këndshme të Tiranës 

Shumë prej tyre pohojnë se si lojtarë njohin vetëm Eros Grezdën, sidomos tifozët e Rejnxhërsit. Mendojnë se Shqipëria ka një skuadër të mirë, por Skocinë e shohin paksa më lartë.

Tashmë, festa do të spostohet në “Loro Boriçi”, aty ku të shtunën në orën 20:45 Shqipëria do të ndeshet me Skocinë, me shpresën se një fitore mund ti mjaftojë të evitojë pozicionimin në vendin e fundit në grup.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN