Bandat e “sofistikuara” shqiptare në trafikun e qenieve njerëzore në Britani

Bandat shqiptare tepër të sofistikuara janë lidhur me numrin gjithnjë e në rritje të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në Mbretërinë e Bashkuar. Statistikat e fundit nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) tregojnë se numri i personave të trafikuar në ishull është rritur me 35% dhe pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Shqipëria.

Rrjeti televiziv britanik Sky News u takua me 15 viktima të trafikimit në një shtëpi pritëse në Vlorë. Historitë e tyre janë të tmerrshme…

Besjana tregon se si mbeti shtatzënë në moshën 20-vjeçare dhe pasi familja e refuzoi, përfundoi në duart e trafikantëve kur u përpoq të largohej nga shtëpia. “Mamaja dhe vëllai më godisnin në bark që të humbisja fëmijën”, kujton ajo. Por më e keqja ende nuk kishte ndodhur. “Sapo mbërritja në Britani ai nisi të bëhej agresiv. Më mbyllën në një dhomë dhe kërcënonin se do të më bënin keq mua ose beben nëse përpiqesha të arratisesha”.

Ajo ishte me fat, por shumë të tjera vazhdojnë të jenë ende pjesë e rrjetit të prostitucionit – dhe skllavërisë moderne – në Europë dhe Britaninë e Madhe. Agjencia Kombëtare e Krimit thotë se rastet trafikimit të qenieve njerëzore të referuara tek autoritetet në vitet 2016-2017 kanë qenë plot 5145, shumica nga Shqipëria.

Por ndërsa vite më parë, plazhet e Vlorës dhe qyteteve të tjera bregdetare ishin pikënisja e aventurës fatkeqe të viktimave, me liberalizimin e vizave, edhe trafikantët janë bërë më të sofistikuar. Ata tani i “gjuajnë” pretë e tyre online, në rrjetet sociale.

“Ushtria e Shpëtimit” – një shoqatë jofitimprurëse që merret me ndihmën e viktimave të trafikimit, thotë se vetëm gjysma e atyre që trafikohen në Mbretërinë e Bashkuar përfundojnë në rrjetin e prostitucionit. Pjesa tjetër përfundon në tregun e punës, duke filluar nga larësit e makinave apo punonjëset e qendrave estetike. Të tjera viktima joshen me premtimin e një marrëdhënieje dashurore. Kryesisht viktimat vijnë nga zona rurale, me gjendje të keqe ekonomike dhe shpesh, me histori dhune brenda familjes.

Nëndrejtori i Agjencisë Kombëtare të Krimit, Tom Dowdall, thotë që grupet kriminale shqiptare nuk kufizohen vetëm në trafikimin e qenieve njerëzore, çka i bën ato edhe më të fuqishme. “Bandat shqiptare janë tepër të sofistikuara dhe veprojnë njëkohësisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe shtete të tjerë të Europës Perëndimore. Ata janë “poli-kriminelë”, pasi merren edhe me trafikun e drogës, armëve dhe shpesh janë të dhunshëm”.

Mbretëria e Bashkuar ka shpenzuar rreth 150 milionë paund për të luftuar skllavërinë moderne në vendet e burimit dhe ato transit, duke u përqendruar veçanërisht në shtetet me rrezik të lartë që “sigurojnë” edhe numrin më të madh të viktimave.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN