Ekspozita në Rostok, “krisja e dytë” për Edi Ramën

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Vjenë për takimin e liderëve të Ballkanit perëndimor. Mirëpo fundjavën e ka kaluar transit në Gjermani, ku çeli ekspozitën personale. Pas krisjes me Metën, i krisen gjatë transportit edhe disa prej veprave artistike.

Me 6 euro ne xhep, nëse të bie rruga në Rostock të Gjermanisë, mund të kesh mundësinë të shohësh ekspozitën e një qytetari të thjeshtë te quajtur Edi Rama.

Artikulli i gazetës gjermane OstSee për ekspozitën e Edi Ramës

Kryeministri ynë është zhveshur nga xhaketa e kollarja, dhe tejet sportiv e pa djemtë e gardës me vete, ka shfrytëzuar Gjermaninë si transit, përpara se ti bashkohet homologeve të Ballkanit perëndimor në Vjenë, për këtë ekspozitë.

E kur me ne fund duket se zgjidhi krisjen me Ilir Metën, një tjetër krisje i doli ne horizont. Media vendase ‘Ost See’ shkruan se gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë për 54-vjeçarin, pasi pesë skulptura qeramike i janë dëmtuar gjatë transportit nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Por Rama nuk duket i shqetësuar.

Një nga kuratorët e ekspozitës tha se të dielën ka mbërritur posaçërisht një qeramist nga Tirana për të rregulluar punimet e kryeministrit.“Rama është qytetar privat në Rostok, aty e ka sjellë me makinë ambasadori i Shqipërisë si shofer”.

Kunsthalle e Rostock, ku u vendos ekspozita e kryeministrit Rama

Ai ka shmangur edhe pritjet politike dhe darkat zyrtare, pasi gazeta shkruan se ka shkuar tek bistro e galerisë. “Një hapësirë mahnitëse” – citon gazeta gjermane kryeministrin Rama ndërsa sheh në çdo cep ambientin ku do të ekspozohen veprat e tij.

‘Nga dyshemeja në tavan, çdo mur është i mbuluar me veprat e tij artistike.’- thuhet me tej në artikull. Ekspozita hapet sot dhe do qëndrojë e hapur deri më 6 janar.

Shkarkoni aplikacionin e A2