Holanda, finalistja e fundit e Ligës së Kombeve

Holanda është skuadra e fundit që siguroi një vend në “Final Four”, fazën finale të skuadrave që do të luftojnë për trofeun e Ligës së Kombeve. Portokallinjtë barazuan 2-2 në fushën e Gjermanisë, ku rikuperuan disavantazhin e dyfishtë në minutat e fundit.

Vetëm 9 minuta lojë zgjati qetësia në shkallët e “Veltins Arena” pasi Timo Werner guxoi me një goditje nga distanca dhe u vlerësua me një gol të bukur që prishi ekuilibrat.

Tulipanët nuk ofruan asnjë reagim të denjë, madje neglizhenca në prapavijë dhe fati i keq i ndëshkuan me rrjetën e dytë. Leroy Sane mposhti sërish Casper Cillesen pas një goditjeje e cila u devijua duke nxjerrë jashtë loje portierin e Holandës.

Në fraksionin e dytë skuadra portokalli kërkoi të ndryshonte fatet e sfidës por presioni dha frytet vetëm në fund. Promes ngushtoi diferencat për Holandën me një gol të bukur por skuadra e Koeman përmbushi misionin me rrjetën e Van Dijk brenda zonës që fiksoi barazimin 2-2.

Tashmë në garë për trofeun e parë në histori të quajtur Liga e Kombeve, por që vlen edhe një biletë direkte për në finalet e Euro 2020 do të jenë Zvicra, Anglia, Portugalia dhe së fundi edhe Holanda.

Shkarkoni aplikacionin e A2