Karvani i emigrantëve drejt SHBA, protesta në Meksikë

Në qytetin kufitar të Tijuanes në Meksikë, qindra qytetarë dolën në rrugë kundër mijëra emigrantëve që po përpiqen të hyjnë në SHBA.

Vendasit i kërkuan atyre të largohen nga Tijuana në drejtim të Kalifornisë së Jugut. Emigrantët janë pjesë e karvanit të madh të qytetarëve nga Amerika Qendrore, të cilët po kalojnë nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara, ku duan të kërkojnë azil.

Si kundërpërgjigje ndaj ardhjes së tyre SHBA dhe Meksika instaluan masa më të rrepta sigurie në pikat kufitare.

Kryebashkiaku i Tijuanës, Juan Manuel Gastelum tha të premten se numri i emigrantëve pritej të arrijë në 10 mijë gjatë ditëve ne vazhdim dhe paralajmëroi se qyteti nuk ishte i përgatitur t’i bënte ballë një orteku të tillë.

Duke cituar fjalët e kryebashkiakut të Tijuanës, presidenti amerikan Donald Trump pohoi në “Twitter” se edhe Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për këtë lloj pushtimi. “Emigrantët po shkaktojnë krime e probleme, shkoni në shtëpi”, ishin fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN