

Perspektiva e Ballkanit perëndimor në Bashkimin evropian do të jetë në fokus të takimit që zhvillohet sot në Vjenë, mes kryeministrave të vendeve te rajonit dhe komisionerit të zgjerimit Johaness Hahn.
Në takim marrin pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, ai i Kosovës Ramush Haradinaj, Ana Bernabic e Serbisë, lideri malazez Dusko Markovic, dhe kryeministri i Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdiç. Lideri maqedonas Zoran Zaev anuloi pjesëmarrjen për shkak të zhvillimeve politike në vendin e tij.
Kancelari austriak Sebastian Kurz i tha kryeministrit Ramush Haradinaj se procesi i liberalizimit të Kosovës ka ngecur, pavarësisht përmbushjes së të gjitha kritereve.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, lideri i Kosovës pohoi se i kishte kërkuar homologut austriak që liberalizimi të futet në agjendën e BE-së, pasi siç tha, vendi i tij i ka përmbushur detyrimet.
Austria mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.