Panucci: Jam përgjegjës, por kontrata mbyllet në 2019-ën

“Këto pyetje duhet t’ja bëni presidentit Duka”, ishin fjalët e Christian Panucci-t në konferencën përpara miqësores me Uellsin lidhur me të ardhmen e tij. Tekniku italian theksoi se ka një kontratë që përfundon në vitin2019 dhe momentalisht është i fokusuar tek problemet e lojës.

“Kontrata ime përfundon në vitin e ardhshëm. Unë jam trajneri i kombëtares deri në momentin që do të më thonë që nuk jam më dhe gjithashtu punoj me seriozitet dhe qetësi duke kërkuar që të vendos ekuilibrat’’, tha italiani.

Panucci tregoi gjithashtu se e di sesi Shqipëria mund të dalë nga kriza. Sipas tij kontingjenti aktual nuk është në gjendje për të implementuar lojë sulmuese në kombëtare.

“Duke qenë se unë jam përgjegjësi i vetëm për këtë moment të vështirë, sepse kam kërkuar të fut një ide futbolli këtë vit, sidomos për Nations League. Unë nuk e kam problem të pranoj që duhet të ndryshojmë, patjetër. Historia thotë një të vërtetë tjetër dhe duke qenë se unë nuk jam budalla, duhet të ndryshoj. Padyshim, sepse nëse vazhdojmë në këtë rrugë, i vë në vështirësi lojtarët”, tha trajneri.

Panucci pritet të rishikojë kontratën me presidentin Duka menjëherë pas miqësores së sotme.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN