Panucci, mbledhje me lojtarët: Nuk iki!

Kontestimet e tifozëve në përfundim të ndeshjes me Skocinë, janë pasqyra e ecurisë së dobët e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Në shënjestër është trajneri Christian Panucci, ndaj të cilit pakënaqësitë e mbështetësve kuqezi ishin të dukshme.

Vendi i fundit në Grupin 1, vetëm tre pikë të grumbulluara dhe tre humbje. Pavarësisht bilancit negativ, Panucci nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Vetëm pak orë përpara miqësores me Uellsin në “Elbasan Arena”, trajneri zhvilloi një mbledhje me skuadrën.

45-vjeçari i konfirmoi futbollistëve qëndrimin e tij, se nuk do të japë dorëheqjen. Panucci kërkon të vazhdojë projektin me Shqipërinë dhe të zbatojë kontratën, sipas të cilës do ta drejtojë skuadrën edhe në kualifikueset e Europianit 2020.

Megjithatë, e ardhmja e trajnerit pritet të vendoset pas ndeshjes së kësaj të marte me Uellsin.

Pavarësisht rezultatit, vendimi nga drejtuesit e Federatës duket se është marrë. Pengesa e vetme mbeten modalitetet për prishjen e kontratës me Panucci-n.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN