“Ato karota janë propagandë ruse!”: Masha dhe Ariu shndërrohet në çështje diplomatike

Gjeopolitika ndonjëherë mund të shndërrohet në një lojë fëmijësh. Ose më mirë, në një film vizatimor.

Kjo është përshtypja e disa studiuesish të komunikimit dhe të gjeopolitikës, që gjithmonë e më shumë po protestojnë ndaj përmbajtjes “propagandistike” të një prej filmave për fëmijë më të famshëm në kontinent, “Masha dhe Ariu”.

Aventurat e vogëlushes Masha dhe mikut e saj leshator ndiqen me padurim nga fëmijët dhe shpesh herë edhe nga prindërit e tyre, por pak prej tyre arrijnë të shohin edhe atë që fshihet pas pjesës fëminore.

Kapelja e Mashës duket shumë e afërt me atë të ushtarëve të Bashkimit Sovietik. 

Është i bindur për këtë profesori i Universitetit të Buckingham Anthony Glees, që në një intervistë për prestigjiozen The Times analizon puntatat e serialit të krijuar në vitin 2009 nga Animaccord, një kompani e vogël me bazë në Moskë. Sipas tij, seriali i ndjekur në 100 vende dhe fitues i shumë çmimeve është ndërtuar si një megafon i vërtet i propagandës ruse të Vladimir Putin.

Si shembull i qartë merret një puntatë specifike, e dymbëdhjeta e serisë, ku Masha mban një kapele ushtari me yll dhe mbron me çdo kusht kopshtin e saj me karota, ashtu si Rusia po mbron me fanatizëm kufijtë e saj natyral. Fakti që ariu protagonist është në fakt simboli i kombit rus, e shton akoma më shumë këtë metafore të gjeopolitikës botërore.

Vetë personazhi i Mashës është i dyshimtë për profesorin: “Ajo është e shkathët, por edhe çapkëne. Tregon një forcë shumë më të madhe se trupi i saj i vogël. Një personazh putinian, mund të themi”.

Postimi ironik i Ambasadës Ruse mbi protestat për “Mashën dhe Ariun”

Artikulli i The Times i shtohet protestave të shumta të ardhura nga vendet kufitare me Rusinë, në veçanti Ukraina, Estonia dhe Letonia, që historikisht i druhen një rikthimi të “ariut” rus.

Nuk ka vonuar shumë reagimi zyrtar i Moskës e cila për mes të ambasadës së saj në Londër ka preferuar të përdorë ironinë. “ Times sot ka shtruar një pyetje të rëndësishme: si mund ti shpëtojë Evropa Mashës dhe Ariut? Ndoshta duke hapur një qendër kundër filmave vizatimorë në Baltik? Apo duke radhitur autorët e filmave vizatimorë rusë në listën e zezë të BE-së?’.

Një gjë është qartë. Një bllokim i Mashës dhe mikut të saj do të krijonte shumë probleme familjeve evropiane, sidomos prindërve të dëshpëruar nga protestat e vogëlushëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2