Çfarë thoshin Tahiri dhe Rama për Zaganin?

Në kohën kur prokurorët e Katanias mbanin nën përgjim Habilajt dhe kur këta lëviznin me makinën personale të ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kundër Dritan Zaganit ishte investuar e gjithë shumica në pushtet.

Skandali që shpërtheu me denoncimin e ish-shefit të antidrogës në Fier detyroi qeverinë të kundërpërgjigjej përmes aktiviteteve propagandistike, ku Zagani u kryqëzua publikisht.

Saimir Tahiri e akuzonte si të shitur tek Berisha për një sipërfaqe toke. “Këtij oficeri të kërkuar, të arratisur, të arrestuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe bashkëpunim me trafikantët, i kanë dhuruar tokë në Orikum. Dhe shpresoj t’i kenë mësuar edhe notin”, do të thoshte Tahiri nga foltorja e Kuvendit.

Kryeministri Rama shkonte më tej. Përveç se e etiketonte si një kriminel, Rama shtrembëroi faktet duke e akuzuar Zaganin për informimin e trafikanteve, ndërkohë që të dhënat ishin se informatat kishin shkuar te Guardia di Finanza.

“Një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës, që dekonspironte operacionet e policisë, është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundmi”, do të shprehej Kryeministri.

Në anën tjetër, opozita u përpoq ta mbrojë ish-oficerin e antidrogës, por siç duket, zgjidhja më e mirë e mundshme në atë situatë ishte azili politik, largimi nga vendi dhe marrja në mbrojtje nga trafikantët që e kërcënonin dhe policia që e kishte shpallur në kërkim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN