Dritë në fund të tunelit! Një penallti rikthen Shqipërinë te fitorja

Momente nga ndeshja

Pas disa rezultateve radhazi negative dhe mbi të gjithë asaj humbje turpëruese në Shkodër ndaj Skocisë, Kombëtarja shqiptare ka dhënë shenja jetë në ndeshjen miqësore ndaj Uellsit.

Shqipëria e drejtuar nga italiani Christian Panucci doli e fituar nga një ndeshje që pakkush kishte shpresa për një rezultat pozitiv. Një penallti e kthyer në gol nga Bekim Balaj, rikthen edhe shpresën te ky grup dhe deri diku edhe te trajneri Panucci, i cili cilësohej si i larguar para kësaj sfide.

Nuk munguan dhe tensionet

Ndryshime të vogla në formacionin e kuqezinjëve me Panuccin që aktivizoi më të mirët ndërsa i dha një fanellë titullari nga minuta e parë mbrojtësit Ardjan Ismajli, por edhe Andi Lilës si mesfushor.

Festa pas golit të Bekim Balës

Edhe pse e nisi lojën pa dy yjet e ekipit Bale dhe Ramsey, britanikët dominuan pjesën e parë me Shqipërinë që vetëm mbrohej dhe arriti të ruante rezultatin e bardhë 0-0. Në fraksionin e dytë skuadra e Panuccit ishte më kërkuese, me Shqipërinë pas një aksioni të rrjedhshëm arriti të fitonte një 11-metërsh me Taulant Xhakën në minutën 58-të.

Disa sekonda më vonë Bala ekzekutoi saktë duke kaluar Shqipërinë në avantazh. Uellsianët u përpoqën të reagonin po rastet më të mira i kishte Shqipëria me Uzunin që iu afrua golit në dy tentativa. Në fund Bale pati një shans të mirë me një goditje standarde, por e ndali topin në barrikadën mbrojtëse. Përfundoi 1-0 në Elbasan Arena për Shqipërinë që mposhti një kundërshtar të fortë duke larguar për momentin krizën.

Shkarkoni aplikacionin e A2