Kosova spektakolare, vetëm 2 fitore larg Europianit!

Në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk mund të mungonte dhe flamuri kuqezi! 

Vetëm dy vite më parë, Kosova u bë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, por tashmë edhe pse në një periudhë kaq të shkurtër kohore ka mundësinë e artë të fitojë një biletë për Europianin e 2020-ës.

Skuadra e drejtuar nga Bernard Chalandes hipotekoi vendin e parë në grup me një fitore spektakolare ndaj Azerbajxhanit. Me një Arbër Zeneli në superformë, dardanët mposhtën 4-0 Azerbajxhanin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe tashmë janë zyrtarisht në “play-off”-in e Euro 2020 që do të zhvillohet në marsin e vitit 2020.

Momente nga festimi i golit të parë

Kosova do ta masë forcat tashmë me tre ekipet e tjera që fituan grupet respektive në Ligën D të Ligës së Kombeve, Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Bjellorusinë për një biletë në Euro 2020, gjithmonë nëse asnjëra prej këtyre përfaqësueseve nuk kualifikohet në europianin e ardhshëm nëpërmjet eliminatoreve, atëherë Kosova do të sfidojë në gjysmëfinale Maqedoninë në një ndeshje teke që do ta luajë në transfertë.

Ndërkohë, Kosova është ngjitur edhe në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Nations League. Në Fadil Vokrri në një stadium të tejmbushur ishin përgatitur për festën dhe të gjithë kosovarët festuan pas vetëm 1 minute lojë, pasi Arbër Zeneli shënoi shumë shpejtë duke i dhënë epërsinë Kosovës. Në fillimin e pjesës së dytë ishte sërish Arbër Zeneli që shënoi edhe golin e sigurisë për Kosovën.

Arbër Zeneli, heroi i Kosovës

Nuk vonoi shumë dhe rrugën e rrjetës e gjeti edhe Amir Rrahmani ndërsa Arbër Zeneli mori topin në shtëpi me golin e tretë personal në minutën e 76-të. Një kualifikim historik ky për skuadrën e Bernard Chalandes që mbylli grupin 3 të Ligës D në kuotën e 14 pikëve me 4 fitore 2 barazime por edhe me një golevarazh fantastik prej 15 golave të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit i gjithë stadiumi Fadil Vokrri shpërtheu në festë për një fitore të madhe të Kosovës.

Shkarkoni aplikacionin e A2