Më shumë uellsianë se shqiptarë në “Elbasan Arena”!

Tifozët e Uellsit në “Elbasan Arena”

Përfundoi me muzikë, festë nga tifozët dhe pushtim fushe. Fitorja në miqësoren me Uellsin, riktheu humorin te Kombëtarja dhe tifozët kuqezi. Në fund të ndeshjes, fansat harruan kontestimet ndaj trajnerit Panucci dhe vrapuan në fushë, për të takuar idhujt e tyre.

Një pjesë e tyre tentoi të takonte edhe yjet e Uellsit, Gareth Bale dhe Aaron Ramsey, të cilët u larguan nga fusha në shoqërimin e rojeve të sigurisë. Fitorja ndryshoi situatën, me Panuccin që duket përkohësisht më i qetë në postin e tij, edhe pse një vendim pritet të merret në takimin e ditëve në vazhdim me presidentin e federatës, Armand Duka, ku do të bëhet analiza post-Ligës së Kombeve.

Goli i Bekim Balajt me penallti bëri që Shqipëria ta mbyllte vitin 2018 me fitore. Sukses ngushëllues, në një ndeshje ku më tepër se loja, ra në sy prezenca e jashtëzakonshme e tifozëve uellsianë në tribuna.

Afro dy mijë mbështetës miq, përballë njëmijë tifozëve kuqezi, duke bërë që për herë të parë në shtëpi, Kombëtarja të ndihej sikur ishte skuadra mike.

Në fund fitore, me Panuccin, që të paktën për momentin mund të jetë i qetë dhe kujtimi i një pushtimi të bukur në vitin 2018. Fillimisht nga fansat skocezë dhe më pas nga ata uellsianë. Festa e futbollit mbërriti edhe në Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN