“Panucci s’ka vepruar pa leje, largimi i tij nuk i zgjidh të gjitha”

Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena” miqësoren ndaj Uellsit, por situata te kuqezinjtë duket e rëndë dhe duhet të kthehemi vite prapa për ta gjetur skuadrën në këtë gjendje.

Mungesa të rëndësishme, por mbi të gjitha morali i skuadrës e i trajnerit pasi e mbylli Ligën e Kombeve në vendin e fundit në grup dhe vijnë pas një humbje turpëruese 0-4 ndaj Skocisë.

Por nëse të gjithë menduan se Panucci do të largohej pas ndeshjes së tmerrshme në Shkodër, italiani nuk mendoi kështu dhe u shpreh pas takimit se do të vazhdojë punën me kuqezinjtë.

Por edhe ekspertët mendojnë se situata e krijuar në Kombëtare nuk është thjesht dhe vetëm përgjegjësi e trajnerit Panucci. Fatmir Mneri, një emër i njohur i gazetarisë sportive, analizon gjendjen e Kombëtares para ndeshjes me Uellsin.

“Përkundër rezultateve, sepse mund të jenë edhe të pranueshme, pasi çdo gjë ka një nisje një kulm dhe një rënie, kemi të bëjmë me një zgjedhje të strategjie të gabuar dhe kjo nuk është vetëm një përgjegjësi e tij”, u shpreh Mneri.

Ndërkohë, ai u shpreh më tej se do të ishte e gabuar nëse mendohej se largimi i trajnerit do të ishte zgjidhje e të gjitha problemeve.

“Kjo strategji padyshim që është shpallur edhe te drejtuesit teknikë, deri tek drejtuesit e Federatës dhe pse jo edhe deri tek Presidenti, është një gjë e bërë “jo pa leje”. Përgjegjësia është e të gjithëve dhe nëse ne mendojmë se largojmë Panuccin dhe kemi zgjidhur të gjitha problemet, kjo është mëse e gabuar”, tha Fatmir Mneri.

Shkarkoni aplikacionin e A2