PS- PD, akuza në distancë për PPP-të dhe rrugët

Ministri i Financave ka zgjedhur rrugën e sulmit, teksa në Komisionin e Ekonomisë është thirrur për të raportuar mbi projektet e koncensioneve të formës PPP, të parashikuara në projektbuxhetin2019. Ai ka shigjetuar kontratat e rrugëve të nënshkruara gjatë periudhës së qeverisjes së demokratëve, të cilat sipas kryefinancierit, kanë tejkaluar disa fish vlerën fillestare.

“Kujt i flasin këta për risk të PPP. 41.6% nga një prokurim publik. Një rrugë që nisi me 304 milionë dollarë do të përfundojë, ta shohim, me 430 milionë dollarë e më shumë”, tha ministri.

Akuzave të Ahmetajt i janë përgjigjur përfaqësuesit e opozitës. Sipas tyre, kostoja e rritur e rrugëve ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit dhe klientelizmit të qeverisë aktuale, ndërsa shqetësimi i vërtetë janë PPP-të. “Ministri i Financave bën mirë të japë llogari se pse këto PPP kushtojnë 2-3 herë më shtrenjtë nga vendet e rajonit apo dhe nga vendet e zhvilluara. Kemi rastin konkret të rrugëve që po financohen me 3-4 herë vlerën për kilometër se sa po të ndërtoheshin normalisht me fonde buxhetore”

Vitin e ardhshëm, kostot e 15 kontratave aktive PPP do të arrijnë në 12.6 miliardë lekë, për t’u rritur gradualisht gjatë viteve pasuese prej shtimit të katër kontratave të reja. Sipas opozitës, këto kosto rëndojnë mbi borxhin publik dhe do të sjellin rritjen e taksave për qytetarët dhe bizneset.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN