FMN i mbetet rritjes 3.7%, këshillon “kujdes me ofertat e pa kërkuara”

FMN mbylli misionin dy javor në Shqipëri duke lënë pas disa rekomandime, mes tyre ato të përhershmet për PPP-të dhe detyrimet e prapambetura.

Por kësaj radhe, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar u shprehen të shqetësuar për rritjen ekonomike, e cila sipas tyre, nuk po frenon emigracionin, një dukuri shume shqetësuese për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

FMN është konservatore për ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare, duke i qëndruar një parashikimi prej 3.7% për vitin e ardhshëm kundrejt 4.1% që pretendon qeveria. Por më tepër sesa shifra në vetvete, Fondi Monetar është i shqetësuar se ky nivel rritje nuk po frenon emigracionin.

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, i pranishëm në takimin e FMN-së, tha se “ndër vite Fondi Monetar e ka rishikuar rritjen në vazhdimësi, unë kam bindjen që edhe vitin tjetër ata do ta rishikojnë shifrën e 3.7%”.

Në mbyllje të misionit dy javor në Shqipëri, zyrtarët e lartë të FMN-së lanë disa rekomandime për qeverinë. Ata apeluan për kujdes me ofertat e pa kërkuara të PPP-ve dhe detyrimet e prapambetura.

FMN ripërsëriti qëndrimin për mos bërë diferencime me taksat për industri të caktuara dhe kërkoi nga qeveria vazhdimin e reformave strukturore dhe forcimin e shtetit ligjor.

Ministri Ahmetaj dhe guvernatori Sejko bashkë me zyrtarët e FMN

“Ne këshillojmë nxitjen e një procesi me oferta konkurruese, duke mos pranuar më propozime të pa kërkuara për PPP-të”, deklaruan zyrtarët e Fondit Monetar.

Shkarkoni aplikacionin e A2