Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Panucci i lumtur për fitoren dhe sheh larg. Duka: Fitore besimi

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2018, 08:02 | Futboll

Ndoshta të gjithë menduan se pas ndeshjen me Uellsin, Shqipëria nuk do të ishte më nën urdhrat e trajnerit Italian Christian Panucci, por në fakt nuk është kështu.

Shqipëria mori një fitore minimale me një gol të shënuar me penallti nga Bekim Balaj ndaj Uellsit dhe te kuqezinjtë është kthyer shpresa, ndërsa edhe Panucci duket se ka marrë besimin e Dukës.

Pas fitores, trajneri u duk i lumtur dhe i qetë, ndërsa u shpreh se tashmë ka kohën e mjaftueshme deri në nisjen e eliminatoreve të Europianit për të përgatitur skuadrën.

“Më në fund një fitore, pavarësisht se nuk kishte shumë rëndësi për rezultatin, por për shpirtin e skuadrës. Djemtë nëse duan, arrijnë të reagojnë. Më në fund, po, është fjala e duhur. Skuadra gjeti shpirtin e duhur, dhe arrin në një fitore. Më në fund skuadra arriti të fitonte, vuajtëm, por në fund arritëm fitore. Edhe pse, Uellsi kërkoi që të na barazonte, si çdo skuadër që hyn për fitore. Por, kjo nuk do të thotë që ndalojmë me kaq. Do përgatitemi, të vazhdojmë përpara për kualifikimin në Europian”.

Si ka qenë fryma e grupit gjatë këtyre ditëve të vështira?

Jemi ballafaquar, kemi folur, arritëm të gjejmë pikat ku gabuam, dhe arritëm të vazhdojmë përpara në fitore.

Marsi, është i largët apo i afërt?

Për të arritur për të rikuperuar ndonjë lojtar, shpresoj që të jetë sa më larg.

A ishte përgjigje e lojtarëve nëse e duan trajnerin?

Unë di që djemtë i kam pas krahëve, i kam me vete. Nëse do e dija që nuk do ishin me mua, do largohesha.

A fituam një lojtar si Ismajli?

Po, jam shumë i kënaqur, shumë serioz në fushë dhe profesionist. Besoj se do bëjë ndeshje të bukura në vazhdim.

Pse vetëm 2 zëvendësime në miqësore?

Sepse skuadra po luante mirë, nëse do kishim shfrytëzuar më mirë disa raste, do shënonim më shumë gola.

Duka: Fitorja ngre moralin. T’i japim besim skuadrës

I ndalur nga gazetarët në daljen e tij nga stadiumi Elbasan Arena pas fitores ndaj Uellsit, presidenti i FSHF e analizoi kështu fitoren e kuqezinjtë ndërsa bëri një koment edhe për trajnerin Panucci.

Fitore morali? Si e patë ekipin?
Rezultati ishte pozitiv, pjesa e parë nuk ishte shumë e mirë, por mendoj se pas asaj humbje të thellë ndaj Skocisë, i shërben ekipit për ndryshimin e atmosferës.

Panucci? Jeni takuar?
Nuk kam diskutuar asgjë para ndeshjes, veçse jam munduar ta mbështes si trajnerin e ekipit, për të marrë rezultat pozitiv. Rezultati nuk ngre ndonjë gjë të madhe, por i kthen besimin skuadrës. Fitorja ndikon në moralin e djemve, nëse i kthehet besimi atyre, na kthehet edhe neve. Ky besim nuk mjafton vetëm te çunat, nuk themi që kjo fitore e bëri këtë skuadër shumë të mirë. Të gjithë duhet t’i japim besim.

Janë rikthyer lojtarët me eksperiencë…
Sot, ato që ishin në fushë ishin më të mirët e mundshëm. Kishte edhe të tjerë që u larguan. Në ekipin kombëtar, duhet të jetë në fushë ai që është më i miri në moment.

A2 CNN Livestream

Dita jonë