40 milionë të prekur nga diabeti do të mbeten pa insulinë

Ndërsa numri i personave të prekur nga diabeti do të rritet në vitet në vazhdim, mundësia për të marrë insulinë do të pakësohet gjithnjë e më shumë. Ky është parashikimi i zymtë që bën një studim i revistës “Lancet Diabetes & Endocrinology”.

Deri në vitin 2030 mendohet se numri i personave që do të kenë nevojë për insulinë për të trajtuar diabetin e tipit të dytë do të jetë rritur në 79 milionë, por vetëm gjysma e tyre do të ketë mundësi që të marrë sasinë e nevojshme. Studimi bën thirrje për rritje të përpjekjeve për të përmirësuar shpërndarjen e insulinës veçanërisht në vendet afrikane, aziatike dhe të zonës së Oqeanisë.

“Sipas vlerësimit tonë, nivelet e sasisë së gatshme të insulinës janë të pamjaftueshme krahasuar me kërkesën e parashikuar për të”, thotë Dr. Sanjay Basu, nga Universiteti Stanford, drejtuesi i studimit.

Studimi parashikon që brenda vitit 2030 numri i personave të rritur të prekur nga diabeti i tipit të dytë do të shkojë nga 406 në 511 milionë. Shtetet e Bashkuara do të kenë numrin më të madh të personave të prekur, plot 32 milionë.

Shkarkoni aplikacionin e A2