Edhe studentët në protestë përballë Kryeministrisë: përgjysmoni tarifat! – A2

Edhe studentët në protestë përballë Kryeministrisë: përgjysmoni tarifat!

Protesta e studentëve

Enriko studion prej tre vitesh në fakultetin e shkencave sociale, në degën e Filozofisë. Ai thotë se tarifa që paguan për shkollën ia bën shumë të vështirë përballimin e jetës si student.

Vështirësitë ekonomike e kanë detyruar atë dhe shumë të tjerë si ai që të dalin serish në protestën e radhës për uljen e tarifave vjetore të studimit.

Enriko, një nga organizatorët e protestës studentore

“Jeta në Tiranë është bërë gjithmonë e më e vështirë, studentët çdo 3 muaj detyrohen të marrin borxhe, ky është tashmë realiteti që përjeton çdo student”, thotë një nga organizatorët e protestës, Enriko Peçuli, student në filozofi.

Taulant Muka deri një javë më parë ishte zv. ministër i Arsimit, detyrë nga e cila dha dorëheqjen për shkak të gjendjes së institucionit dhe arsimit në Shqipëri. Taulanti u be pjesë e protestës së studenteve si një qytetar i thjeshtë.

Taulant Muka, ish zv. ministër i Arsimit

Sipas tij, tarifat aktuale të fakulteteve në Shqipëri e bëjnë shumë të vështirë arsimimin për të rinjtë dhe protestat e tyre i quan më se legjitime.

“Është e vërtetë që tarifat universitare në Shqipëri janë shumë të larta, dhe për atë që paguhet nuk merret shërbimi që nevojitet. Studentët me shumë të drejtë sot ngrenë zërin e tyre”, thotë Muka.

Nga protesta

Enrikos dhe Taulantit iu bashkuan qindra studentë të cilët e përfunduan protestën e tyre përpara kryeministrisë duke kundërshtuar tarifat e sistemit bachelor në fakultet. Në varësi të degës një student paguan këtë vit akademik 20500 deri në 45000 lekë.

Shkarkoni aplikacionin e A2