Euro 2020, UEFA përcakton vazot. Komplikohet rruga për Shqipërinë

Komplikohet rruga e Shqipërisë drejt Euro 2020. UEFA përcaktoi ndarjen e skuadrave në vazo, përpara shortit të 2 dhjetorit, ku skuadrat do të njohin rivalët e tyre në kualifikuese.

Kuqezinjtë kanë zbritur në vazon e katërt dhe tani rruga bëhet më e vështirë. Pozicionimi u bë bazuar në ecurinë në Ligën e Kombeve. Dështimi i Shqipërisë, e cila u rendite fundit në grupin e saj, u reflektua menjëherë në prag të shortit.

Në vazon e parë janë skuadrat e kualifikuara në “Final Four”, Zvicra, Portugalia, Holanda dhe Anglia, të cilat do të luajnë për trofeun e parë të Ligës së Kombeve, ndërsa atyre u janë shtuar mes të tjerave Franca, Spanja e Italia. Surpriza e madhe është pozicionimi i Gjermanisë në vazon e dytë. Një rrezik për të gjitha skuadrat, ku askush nuk dëshiron të ketë në rrugën e saj ish-kampionët e botës përkrah një prej ekipeve të vazos së parë.

Pavarësisht ecurisë së shkëlqyer në Ligën e Kombeve, ku fitoi grupin e saj dhe nuk pësoi asnjë humbje në vitin 2018, Kosova mbetet në vazon pestë. Sipas formulës së shortit, do të krijohen 5 grupe me nga 5 skuadra dhe 5 me gjashtë ekipe. Në fazën finale të Euro 2020 kualifikohen skuadrat e para të çdo grupi, për një total prej 20 përfaqësuesesh, ndërsa 4 vende janë të rezervuara për fitueset e secilës kategori në Ligën e Kombeve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN