Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Pa opozitën, ministrat e Ramës mbrojnë buxhetin në parlament

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2018, 15:48 | Ekonomi

Buxheti i vitit 2019 është miratuar në parim nga deputetët e shumicës, ndërkohë që mungonin deputetët e opozitës, të cilët po e diskutojnë veçmas me grupet e interesit.

Në fjalën e tij në kuvend, Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, renditi disa nga cilësitë e këtij projektligji. “Vëmendja te qytetarët është fryma me të cilën është konceptuar dhe materializuar buxheti i vitit 2019”, tha Ahmetaj.

“Nëse do të përkufizoja dy tipare të buxhetit 2019, ai ka një ngjyrë intensive të konsolidimit fiskal, të përshpejtimit të rritjes ekonomike, por mbi të gjitha edhe uljen e mëtejshme të borxhit publik. Dhe së dyti ka një profil tashmë të konsoliduar, tejet social, të reflektuar në politikat e reja, në rritjen e pagave, apo edhe në politikën e vazhdueshme të relaksimit fiskal”.

Ahmetaj ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se është një buxhet që varfëron shqiptarët, duke theksuar se përmban një paketë masash sociale. "Buxheti ka shumë detaje pozitive, ka mbështetje të thellë të reformave, ka ulje të ngarkesës fiskale, ka investime publike dhe mund të quhet kollaj fare buxheti i paketës sociale më të madhe në historikun e financave publike", shtoi ai.

Në mbrojtje të buxhetit foli edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Ai u fokusua tek investimet publike dhe projektet e partneritetit publik privat, të cilat mundësojnë plotësimin e rrjetit kryesor rrugor në vend.  “Buxheti mundëson përfundimin në kohë të të gjithë veprave të mëdha të nisura, qoftë ato të infrastrukturës rrugore, rrugët e reja të hapura dhe të partneritetit publik privat. Të gjitha investimet shkojnë në ato rrjete kryesore kombëtare pa u bërë ato si në të kaluarën shpesh investime të karakterit elektoral”, tha Gjiknuri.

Në fund të seancës, deputetët e mazhorancës miratuan në parim projektbuxhetin, duke u hapur rrugë diskutimeve të thelluara në komisionet parlamentare.

A2 CNN Livestream

Dita jonë