Rritja e taksave për mallrat serbe, reagime të ashpra në Beograd dhe BE

Aleksandar Vucic, president i Serbisë

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të rritur me 100 përqind taksat ndaj importeve serbe, është pritur me zemërim në Beograd.

Mediat serbe e cilësojnë vendimin për rritjen e taksave si skandaloze dhe paralajmërojnë rritje të tensioneve në rajon.
Përfaqësuesit e Listës serbe në Parlamentin e Kosovës kanë kërkuar mbrojtje nga shteti i Serbisë. Deputetët serbë vendosën të bojkotonin seancën e së enjtes në parlamentin kosovar.

Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë paralajmëruar ndërkaq se nuk do të marrin pjesë në takimin e radhës, në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, që pritet të mbahet në Prishtinë.

Presidenti serb Aleksandar Vucic kërkoi heqjen e menjëhershme të taksave. “Vendimi duhet të shfuqizohet menjëherë, dialogu ka rregulla sepse duhet respektuar pala tjetër. Ne po presim që pala tjetër të vendoset nga ana e civilizimit”, deklaroi Vucic.

Por vendimi i Prishtinës për taksat është dënuar edhe nga ndërkombtarët. Përfaquesja e lartë e politikës së jashtme në Be, Federica Mogherini u tregua e ashpër në qëndrimin e saj.

Federica Mogherini

Ajo tha se vendimi i qeverisë së Kosovës është një shkelje e qartë e marrëveshjes evropiane për tregtinë e lirë, Cefta, dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes BE dhe Kosovës.

“Përshkallëzon edhe më tej tensionet pas vendosjes se taksës fillestare prej 10 përqind” ishin fjalët e Mogherinit, e cila shtoi se qeveria duhet ta tërheqë menjëherë vendimin.

Edhe komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn kërkoi që Prishtina të tërhiqet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN