Rritja ekonomike, ekspertët: Duhen investime në arsim e politika sociale – A2

Rritja ekonomike, ekspertët: Duhen investime në arsim e politika sociale

Rritja ekonomike, që konsiderohet si sukses absolut nga qeveria, nuk po ndihet në xhepat e shqiptarëve. Ekspertët bashkohen me gjykimin e FMN-së se ky tregues nuk po frenon emigracionin. Sipas tyre, nevojiten investime në arsim dhe politika sociale që shqiptarët të mos largohen.

“Nuk ka nevojë që të presim parashikimin e FMN-së për të parë atë që po ndodh realisht në këtë vend. Në familjet shqiptare nuk po flitet për asgjë tjetër veçse për largimin e pjesëtarëve të familjes dhe fëmijëve drejt një sistemi më në gjendje t’u ofrojë mundësi për të ardhmen”, thotë ekonomisti Dritan Shano.

“Duhet të marrim në konsideratë se cila do të jetë rritja e pagave për sektorë të caktuar që të reflektojnë mbajtjen e fuqisë punëtore, ne po rrezikojmë. Gjithashtu duhen investime në arsim, sidomos ato që kanë të bëjnë me arsimin profesional”, u shpreh eksperti Kastriot Sulka.

Ekonomia ka shënuar rritje vitet e fundit, nga 1% ne 2013-ën në 4% që është parashikimi këtë vit. Por me këtë shifër në dukje pozitive, dy janë problemet: E para, se ajo nuk ka burime të qëndrueshme që ta gjenerojnë dhe së dyti, në këtë nivel nuk ndikon në jetën e shqiptarëve, duke e bërë që të jetë veçse një statistikë në raportet zyrtare.

Shkarkoni aplikacionin e A2