Tension dhe të plagosur para Parlamentit | FOTO

Policia e kishte parashikuar si protestën e radhës para parlamentit, por situata u agravua dhe disa prej efektivëve u dëmtuan nga përplasjet me banorët e zonës së njohur si Astiri.

300 tubuesit të mbledhur para Parlamentit u përplasen me forcat policore duke plagosur 12 prej tyre. Mes të dëmtuarve ishte dhe drejtori i rendit dhe sigurisë publike, Dhimitraq Ziu, por edhe 3 protestues.

Ndonëse qeveria njoftoi se banesat do të prishen vetëm pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet, banorët ishin serish te revoltuar. Me pankarta e tabela në duar ata kërkuan dëmshpërblim me vlerën e tregut për shtëpitë që do të prishen ndërsa mes tyre kishte dhe fëmijë. Kryeministri Edi Rama theksoi se do të dëmshpërblehen vetëm banesat me leje, por banorët kundërshtojnë duke deklaruar se janë në proces legalizimi.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e ‘Unazës së Re’ protestojnë. Më 15 nëntor, nga shtëpitë e tyre ata protestuan edhe para bashkisë. Në të njëjtën skenë ata u përplasën edhe me policinë bashkiake, nga ku mbetën të lënduar 7 efektivë ndërsa protestat në zonën e unazës së re janë të përditshme.

Lleshaj: Policia është goditur edhe nga përfaqësues politik


Pranë oficerëve të lënduar shkoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili e quajti të papranueshme goditjen e tyre nga qytetarë të papërgjegjshëm. “Policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politik, të cilët në kushte të papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike inspirojnë dhunë ndaj forcave të policisë”, tha ministri.

“Qëllimi i ardhjes sime këtu është të shpreh solidaritet për punonjësit e rendit, janë një numër i konsiderueshëm policësh të dëmtuar, madje edhe me dëmtime të rënda, të cilët pa asnjë shkak, pa asnjë arsye, paguajnë një çmim të pamerituar”.

Balliu viziton në spital protestuesit e lënduar
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, nga spitali, shprehu keqardhje për protestuesit e plagosur, por edhe oficerët e policisë. “Pasojat, plagosjet dhe dëmet i vuajnë qytetarët dhe policët, ndërkohë që Edi Rama mbush xhepat mbi vuajtjen e të dyja palëve”, u shpreh Balliu.

Shkarkoni aplikacionin e A2