24 orë nga sfida më e çmendur në botë, rregullat unike të River-Boca

River Plate – Boca Juniors është padyshim ndeshja më e çmendur në botë. Një sfidë epike, e cila përmban historinë, luftën e klasave, historinë, por që mbi të gjitha është një mënyrë jete.

Emocione të jashtëzakonshme për superclasico-n, e cila do të vendosë fituesin e këtij edicioni të Kupës Libertadores.

Përballja bëhet edhe më e veçantë nga rregullat unike të finales. Duke nisur nga fakti që golat në transfertë nuk vlejnë. River Plejt nuk ka asnjë avantazh pas barazimit 2-2 në “Bombonera”, ndryshe nga sa ndodh me ndeshjet në Europë.

90 minutat e kthimit në stadiumin “Monumental” premtojnë një betejë epike, ku fituesi merr gjithçka dhe humbësit kthehen në shtëpi mes turpit. Në rast të një tjetër barazimi, ndeshja do të shkojë në kohën shtesë.

Në këtë rast, do të regjistrohet një tjetër risi. Për herë të parë, në Kupën Libertadores do të regjistrohet zëvendësimi i lojtarit të katërt, bazuar në direktivat që FIFA i ka dhënë organizatorëve të turneut.

Një tjetër rregull i pazakontë lidhet me 11-metërshat, nëse fituesi i Kupës Libertadores do të vendoset nga pika e bardhë.

Kur lojtarët të ekzekutojnë penalltitë, përveç arbitrit dhe njërit prej asistentëve, golat do të konvalidohen edhe nga sistemi VAR, për të përcaktuar nëse topi e ka kaluar vijën, ose nëse gjatë goditjes ka patur parregullsi.

“Superclasico” është sfida më e pabesueshme në glob dhe për të rritur dozën e emocioneve do të mendojnë edhe rregullat e veçanta.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN