Kante rinovon me Chelsean, do të paguajë më shumë taksa se Starbucks dhe Amazon së bashku

N’Golo Kante ka firmosur një kontratë të re pesëvjeçare me Chelsean, prej së cilës do të fitojë diçka më shumë se 15 milion paund në vit. i bërë pjesë e klubit londinez në verën e vitit 2016, francezi ka qenë gjithmonë një element i rëndësishëm për skuadrën, edhe pas ardhjes së Maurizio Sarrit dhe Jorginhos.

27-vjeçari tha pasi hodhi firmën: “Jam i lumtur që do të zgjas qëndrimin tim te Chelsea. Deri tani kam kaluar dy vite shumë të bukur dhe shpresoj që kështu të jetë edhe në të ardhmen”.

Lojtari shquhet jo vetëm për aftësitë e tij në mesin e fushës, por edhe për sjelljen e përulur dhe modeste, të cilën nuk e ka humbur kurrë, as këtë herë. Kante ka refuzuar të hapë një llogari offshore për të marrë pagën, çka do të thotë që kontributi i tij në sistemin e taksave të Mbretërisë së Bashkuar do të jetë tepër i madh. Madje më i madh se sa kontributi i dy gjigantëve si Starbucks dhe Amazon.

Prej 15 milion paundëve që do të paguhen nga Chelsea për të, 6,7 milion do të mbahen në formën e taksave çdo vit. Për krahasim, Amazon pagoi vetëm 1,7 milion paund në Britani vitin e kaluar në formën e taksës korporative, edhe pse do të duhet të kishin paguar 4,6 milionë paund nëse do të ishin të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe gjiganti i kafeneve, Starbucks, ka paguar vitin e kaluar vetëm 4,5 milionë paund në taksë korporative, vetëm 2,8% e të ardhurave falë strukturës së ndërlikuar të biznesit.

Pra të dy kompanitë kanë paguar të dyja bashkë 6,2 milion paund në taksa vitin e kaluar, 500 000 paund më pak se sa do të paguajë Kante.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN