Kosova s’tërhiqet nga taksat, ndërkombëtarët të shqetësuar

Ramush Haradinaj

Kosova s’tërhiqet nga taksat, ndërkombëtarët të shqetësuar
Pavarësisht reagimeve të ashpra ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi për rritjen me 100 përqind të taksave ndaj produkteve serbe e ato nga Bosnja Hercegovina.

Në një seancë të jashtëzakonshme në Parlament, ai theksoi se taksa nuk do të hiqet.“Do të kemi këshilla të mira, lutje e përkrahje, do të jepet edhe ndonjë çmim si kundërvlerë për këto masa, por nuk është mirë që Kosova t’i heq deri sa nuk njihet pavarësia e Kosovës. Pse e them këtë? Jo se e kemi zbuluar ne Amerikën, por ju siguroj që pa një qasje të tillë është e pamundur që të mbërrihet një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht detyruese e njohjes së ndërsjellë. Nëse nuk e kemi këtë qëndrueshmëri, nëse nuk dimë të qëndrojmë, atëherë ne vet po heqim dorë nga vetvetja dhe pse të na pranoj tjetri?”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

Haradinaj shtoi se i kishte dërguar një letër shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për t’ia shpjeguar arsyet e vendimit për rritjen e taksave, një ditë pasi që kjo e fundit kërkoi nga qeveria që të tërheq menjëherë taksën.


Maja Kocijancic, zëdhënësja për politikat e Jashtme të BE

Qëndrimin e vet, Mogherini e ripërsëriti përmes zëdhënëses së saj, Maja Kocijancic, e cila nënvizoi që zyrtarët e BE “ kanë qenë shumë të qartë pse mendojmë se vendimi është një shkelje e marrëveshjes CEFTA, nuk është në frymën e Marrëveshjes së Stabilizimit Asocimit. Nuk është që nuk e pranojmë që ka probleme, por për ne mënyra se si qeveria e Kosovës ka reaguar në këtë kontekst thjesht nuk është rruga e drejtë”.

Kocijancic kërkoi që ngërçet mes dy vendeve të zgjidhen përmes dialogut. Edhe Gjermania iu bashkua thirrjes se Bashkimit Europian duke i kërkuar Prishtinës të bëjë një hap prapa.

Edhe Beogradi vazhdon të këmbëngulë që Kosova të tërhiqet nga vendimi për rritjen e taksave. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të enjten pas një takimi me udhëheqësit e serbëve të Kosovës në Beograd, se Serbia duhet të ruajë qetësinë e paqen dhe të përgatitet për një betejë të gjatë.

Aleksandar Vucic dhe Federica Mogherini

Ai u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të heqin dorë nga masat, që sipas tij do të dëmtojnë rëndë qytetarët serbë në Kosovë por edhe shqiptarët.

Kosova importon nga Serbia mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN