Mazhoranca dhe opozita janë të ndara për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka mirëpritur propozimin e raportit të Komisionit të Pavarur për Monitorimin e Reformës në Drejtësi, për zbatimin e një dispozite tranzitore, për ngritjen e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Ky këshill, shorti për të cilin do të hidhet tani në muajin dhjetor, do të trajtohet si Këshilli i Përkohshëm i Emërimeve në Drejtësi”, thotë zoti Manja. “Ngritja e këtij këshilli do të vazhdojë të bëhet në bazë të dispozitave tranzitore deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si organet përgjegjëse që me shterimin e dispozitës tranzitore i kthehen organeve kushtetuese të vendit”.

Por për opozitën ka një zgjidhje edhe më shteruese se kaq. Deputetit i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vaisli, sugjeron shumicën të konsiderojë amendamentet e opozitës për Reformën në Drejtësi.

“Në qoftë se kanë konstatime të tilla, t’ua thonë ndërkombëtarëve të cilët e bekuan këtë gjë, t’ua thonë edhe ekspertëve të nivelit më të lartë që tregon se paskan pasur një nivel mediokër. Paketa e ndryshimeve kushtetuese e opozitës është atje në tavolinën e kuvendit dhe besoj se është përgjigja më e mirë edhe për këto konstatime që paska gjetur ky komision”, thotë Vasili.

Problematika me KED vjen si pasojë e mos ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë. Kjo ishte arsyeja për të cilën Presidenti Ilir Meta nuk organizoi një vit më parë procedurën e shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe pritet që edhe këtë herë të veprojë njëlloj.

Shkarkoni aplikacionin e A2