Të izoluar nga bota prej 60 mijë vjetësh, fisi misterioz vret me shigjeta amerikanin!

Sentinelezët ishin shndërruar në një fiksim për misionarin e ri amerikan John Allen Chau. Objektivi i religjiozit ishte të njihej si përfaqësuesi i parë i botës së civilizuar që takonte fisin e mistershëm, që banon në ishullin e izoluar të North Sentinel në Indi, dhe të përhapte mesazhin e krishterë.

Por misioni i tij dështoi në mënyre dramatike, sepse pjesëtarë të fisit filluan t’i gjuajnë me shigjeta që në momentet e para.

Misionari John Allen Chau, i vrarë në ishullin North Sentinel

Detajet e sulmit dalin në pah nga përshkrimi në ditarin e tij, që gjendej në një varkë me të cilën kishte mbërritur në ishullin e izoluar, e mbushur me Bibla dhe topa për fëmijët si dhuratë.

Pasi kishte shpëtuar herën e  parë, Chau ishte rikthyer në varkë dhe të nesërmen kishte tentuar edhe një herë kontaktin, kësaj radhe duke mos u rikthyer më.

Sipas disa peshkatarëve që e kishin përcjellë në misionin e rrezikshëm, dhe po ndiqnin nga larg skenën, pas vrasjes fisi varrosi trupin e amerikanit në plazh.

Rikuperimi i trupit nuk është çështje e lehtë. Ishulli zyrtarisht i përket Indisë por është faktikisht ka dekada që autoritetet nuk lejohen të zbresin në ishull dhe madje kanë braktisur çdo tentativë të kontaktojnë me banorët lokalë.

Një nga pamjet e rralla të fisit Sentinelez

Sentinelezët janë ndoshta fisi me i izoluar në botë, dhe sigurisht më agresivi ndaj çdo ndërhyrje të jashtme. Banojnë ishullin e North Sentinel , në arkipelagun e Andamaneve, qysh prej periudhës Neolitike, rreth 60 mijë vjet më parë.

Prej asaj epoke, kanë refuzuar sistematikisht çdo kontakt me popullsitë e ishujve përreth, dhe sidomos me autoritetet britanike dikur dhe tashmë indiane.

Edhe gjatë cunamit të famshëm në 2004 refuzuan ndihmat madje sulmuan me shigjetat e tyre të mprehta helikopterin e ushtrisë që po kontrollonte dëmet.

Ishulli North Sentinel, padyshim më “armiqësori” në botë

Shumë pak dihet për traditat e tyre, madje studiuesit nuk janë të qartë a kanë përvetësuar qoftë teknikën e ndezjes së zjarrit. Izolimi mijëra vjeçar i ka lënë pa antikorpet tradicionale që ka zhvilluar shoqëria, saqë edhe një e tështirë e një ”kolonizatori” ka potencialin  t’i shfarosë definitivisht.

Ndoshta për këtë arsye fisi ka shndërruar parajsën natyrore  ku banojnë në ishullin më armiqësor në botë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN