Tirana ndal Skënderbeun, Teutës i mjaftojnë 3 minuta për 3 pikë

Skënderbeu nuk ka mundur të marrë më shumë se një pikë nga transferta në kryeqytet ndaj Tiranës këtë të shtunë, në një takim të mbyllur në barazim 1-1.

Një pikë morali dhe shpresë për bardheblutë pikërisht para derbit me të kuqtë, por që nuk ndikon në renditje, pasi formacioni i drejtuar nga Ardi Mema mbetet në vendin e 8-të, me 3 pikë më shumë se Kamza, që luan këtë të diel me Kukësin.

24 herë kampionët e Shqipërisë nuk iu shmangën dot sindromës së golave fëmijënorë. E tillë ishte edhe rrjeta e realizuar nga Bruno Dita në minutën e 35-të, pas një goditjeje standarde. Mesfushori i kampionëve në fuqi u gjend i pambuluar përballë portierit dhe me një devijim të thjeshtë e dërgoi topin në rrjetë.

Tirana e barazoi takimin në fund të pjesës së parë me Sentamu, pas një pune të shkëlqyer të Grecës nga e majta e sulmit. Asgjë nuk ndryshoi në fraksionin e dytë, edhe pse momentet delikatë në portat respektive nuk munguan.

Në ndeshjen tjetër të kësaj të shtune, Teutës i kanë mjaftuar vetëm 3 minuta për 3 pikë në ndeshjen ndaj Luftëtarit në “Niko Dovana”. Kallaku ishte autori i golit të vetëm të kësaj sfide, të cilin e realizoi brenda 180 sekondave të para të ndeshjes.

Me rezultatet e këtyre dy takimeve, Partizani vazhdon të jetë në krye të Kategorisë Superiore me 31 pikë, ndërsa me një pak është Skënderbeu i vendit të dytë e më pas Teuta, e cila me këtë fitore është e treta në kuotën e 25 pikëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2