Turpërohet Reali, Atletico-Barça mbyllet në barazim

Edhe pse ka dominuar, Barcelona ka shpëtuar vetëm në minutat e fundit nga humbja në tranfertën ndaj Atletico Madrid.

Skuadra e udhëhequr nga Lionel Messi i rikthyer, krijoi shumë, por nuk mundi të shënonte deri në momentin kur Atletico befasoi me sulmuesin e tyre kryesor Diego Costa.

Gjithsesi, kur dukej se skuadra e Simeones po shkonte drejt suksesit të mundimshëm përballë Barcelonës, kapiteni i katalanëve, Lionel Messi shërbeu mjaft bukur për Dembele, dhe francezi arriti të mposhtë portierin Oblak, duke rikthyer baraspeshën.

Me këtë rezultat, të dy skuadrat ndajnë nga një pikë dhe mbeten në krye të renditjes, me Barçën në kuotën e 25 pikëve dhe Atleticon në kuotën e 24 pikëve, ndërsa nesër mund të përfitojë Sevilla, që në rast fitoreje ndaj Valladolidit, merr vendin e parë në renditje.

Më herët këtë të shtunë, Reali i Madridit mori një goditje të rëndë në transfertën e Eibar duke u mposhtur 3-0.

Pritej vijueshmëria nën drejtimin e Solarit, por në minutën e 16 të ndeshjes Eskalante shtangu miqtë nga kryeqyteti. “Galaktikët” u përpoqën të reagonin, por tentativat e tyre ishin të dobëta dhe të parrezikshme. Atë që nuk bënë dot madrilenët e bënë sërish vendasit në minutën e 52, duke dyfishuar rezultatin me Enkrik.

Nga ky moment Reali hidhet i gjithi në sulm dhe krijon shumë boshllëqe në prapavijë. Nga kjo do të përfitonte Kike që vetëm pas 5 minutash do të shënonte golin e tretë për Eibar. Deri në fund të ndeshjes rezultati do të mbetej i pandryshuar me Solarin që merr humbjen e parë pas 3 fitoresh nën drejtimin e Real Madrid.

Shkarkoni aplikacionin e A2