Nuk ka klasike latine, River-Boca shtyhet pa afat

Gjendja shëndetësore e disa prej lojtarëve të Boca Juniors ka bërë që drejtuesit e CONMEBOL ta shtyjnë sërish, këtë herë pa një datë të caktuar, super ndeshjen mes River Plate dhe Boca-s, e cila është e vlefshme për finalen e Kupës Libertadore

Ky vendim u mor pasi skuadra e Boca Juniors kërkoi që të mos luhej sonte, por të shtyhej për një moment të dytë, ose t’u jepet fitorja në tavolinë, e parashikuar edhe në artikullin 18 të rregullores së CONMEBOL.

“Ne kemi dorëzuar një kërkesë zyrtare pranë CONMEBOL, ku kemi shprehur gatishmërinë që sfida të luhet në një moment tjetër dhe në kushte të barabarta, pasi tani që flasim lojtarët tanë janë të shokuar për atë që ndodhi dhe disa edhe janë plagosur. Nëse nuk shtyhet, atëherë sipas nenit 18 të rregullores së CONMEBOL për raste të tilla, të na jepet fitorja 3-0 në tavolinë”, ka thënë presidenti i Boca Juniors.

Rreth pasdites, institucioni drejtues i futbollit në Amerikën e Jugut, CONMEBOL u mblodh dhe vendosi që takimi të mos fillojë sonte në orën 21:00, por të shtyhet për një datë që mbetet të përcaktohet më vonë.

Gjithashtu u njoftua se të martën në orën 10:00, CONMEBOL do të mbajë një mbledhje me drejtuesit e të dy klubeve, për të vendosur edhe datën kur do të luhet finalja e dytë, ndërsa mediat argjentinase shtrojnë si opsion të mundshëm datën 8 Dhjetor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN