Historiku i mbledhjeve Shqipëri – Kosovë

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës ishin mbledhur 4 herë deri më tani bashkërisht. Mbledhja e parë u zhvillua në Prizren më 11 janar 2014. Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit ishte sfondi ku u hodhën firmat e para.

Kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi u angazhuan për partneritet strategjik mes dy vendeve, përmes nënshkrimit të një dokumenti të posaçëm për bashkëpunim. Firma u hodhën edhe për lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunim në fushat e transportit.

Një vit më pas, në 23 mars të 2015 u zhvillua në Tiranë mbledhja e dytë e përbashkët mes qeverive. Në krye të Qeverisë së Shqipërisë përsëri Edi Rama, ndërsa Prishtina kishte ndryshuar Kryeministër, duke u prezantuar me Isa Mustafën. U firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle bashkëpunimi për lehtësim të tregtisë dhe marrëveshje për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës.

Kryeministri Edi Rama do të deklaronte aso kohe: “Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është turp për Bashkimin Europian”.

Mbledhja e tretë mes dy qeverive u mbajt në Prishtinë më 3 qershor të vitit 2016, ku u firmosën marrëveshje që prekin fushën e arsimit, ekonomisë, bujqësisë dhe turizmit. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në një flamur në Bashkimin Europian- deklaruan kryeministrat në një zë.

Korça shënon etapën e katërt të këtij formati me konstant Edi Ramën, i cili për herë të parë bashkë kryesoi një mbledhje të dy kabineteve qeveritare me në krah Ramush Haradinajn. Mbledhja u mbajt në Korçë më 27 nëntor 2017 dhe do të vijojë në Vlorë me 28 nëntor në përkujtimin e 105 vjetorit në Pavarësisë. Palët firmosën 12 marrëveshje e memorandume mirëkuptimi. Pavarësisht angazhimit të dy qeverive dhe marrëveshjeve të nënshkruara, vetëm një pjesë e tyre janë zbatuar, kryesisht marrëveshjet që lidhen me asistencën dhe mbështetjen që Shqipëria i jep Kosovës në proceset e integrimit.

Po ashtu zbatim kanë gjetur dhe marrëveshjet apo memorandumet e bashkëpunimit në fushën e arsimit, ku mund të përmendet propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria. Sfidë mes dy vendeve mbetet shkëmbimi tregtar pasi shpesh iu është bërë bllokadë produkteve të ndryshme duke i kthyer subjektet në kufi. Një marrëveshje tjetër e rëndësishme që po zbatohet është ajo e ofrimit të shërbimit konsullor të unifikuar për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe kosovarë në Bari, Milano dhe Mynih.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN